Anar - Dashi i bardhë, dashi i zi - roman [AL]
(Përralla utopike dhe
antiutopike)
Shqipërimi dhe
parathënia: KOPI KYÇYKU
Dy fjalë për autorin e veprën e tij
Nuk më rrihet pa e
thënë qysh në fillim: po marrim në dorë një libër, sa të vlefshëm nga pikëpamja
artistike, aq edhe të dobishëm në rrafsh intelektual, që mban firmën e një
shkrimtari erudit. Anar (Rzaev Rasul ogli) u lind më 14 mars 1938 në
kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, në gjirin e një familjeje shkrimtarësh: i
ati, Rasul Rza, Poet i Popullit, e ëma, Nigjar Rafibeili, gjithashtu, Poete e
Popullit. Anar është prozator, dramaturg, skenarist dhe eseist. Më 1955 mbaroi
liceun e muzikës të Bakusë, ndërsa më 1960 - Fakultetin e Filologjisë të
Universitetit Shtetëror, po atje. Ndoqi kurset e larta për skenaristë (1964)
dhe Studion Krijuese për regjisorë në Moskë. Ka qënë punonjës shkencor në
Muzeun e Letërsisë “Nizami” dhe redaktor në Komitetin Shtetëror për
Radiopërhapjen dhe Televizionin. Në vitet 1968-1987 ka qënë kryeredaktor i
revistës artistike “Gobustan”. Nga 1987 e deri më sot, mban detyrën e
kryetarit të Bashkimit të Shkrimtarëve të Azerbajxhanit. Gjithashtu, është
kryeredaktori i enciklopedisë, në dy vëllime, Letërsia dhe arti në
Azerbaixhan. Ka qënë deputet i popullit të BRSS dhe antar i Sovjetit Suprem
(1989-1991). Nga 1995 është zgjedhur deputet dhe kryetar i Komisionit të
Kulturës në Parlamentin (Milli Megilis) e Azerbaixhanit.
Në letërsi ka debutuar
më 1960. Në mbi dyzet vjet veprimtarie krijuese, romanet, novelat, tregimet,
dramat, esetë dhe artikujt e tij janë botuar shumë herë në Azerbajxhan dhe janë
përkthyer në mbi tridhjetë gjuhë të huaja. Libra të Anarit kanë parë dritën e
botimit në Moskë (7 vëllime), në Turqi (10 vëllime), në Hungari (3 vëllime), në
Estoni (3 vëllime), në Poloni (2 vëllime), në Iran (2 vëllime), në Gjermani,
në Rumani, në Çeki e Sllovaki, në Zvicër, në Gjeorgji, në Uzbekistan, në
Kazakistan e në Taxhikistan. Krijime të Anarit, të gjinive të ndryshme, kanë
gjetur vend në faqet e shtypit periodik në SHBA, Kanada, Francë, Austri,
Finlandë, Japoni, Indi, në vendet arabe dhe në të gjitha ish-republikat
sovjetike.
Nëntë drama të Anarit
janë vënë në skenën e teatrove të Azerbajxhanit, sidhe në Moskë, Stamboll,
Bullgari, Tashkent, Kishinjev, Kazan e qytete të tjera ruse, në Armeni, në
Turkmeni e Kirgizi. Vëmendjen e specialistëve e kanë tërhequr njëmbëdhjetë
skenare për filma artistikë e dhjetra skenarë për filma dokumentarë, në disa
prej të cilëva ka qënë edhe regjisor.
Me veprën e tij të
larmishme e me nivel të lartë artistik, Anar ka mundur të realizojë një
simbiozë ndërmjet dy qytetërimeve dhe kulturave mijëvjeçare - aziatike dhe
evropiane. Përsiatja shpirtërore dhe ekzistenciale e shkrimtarit dhe
mendimtarit Anar mbi kushtet njerëzore, na fut në hapësirën e ëndërrimit, por
edhe të fuqizimit të energjive vitale të individit që kërkon rrugën e vet në
jetë.
I frymëzuar nga
idealet më fisnike, kundërshtar i hapur i autokracisë, Anari vendos në qëndër
të shkrimeve të veta dyshen përcaktuese të njeriut bashkëkohës: liri-lumturi
dhe individualitet-kolektivitet. Në Dashi i bardhë, dashi i zi,
ironia e hollë shpesh e ve theksin në dramatizmin e situatave e të ndodhive. E,
megjithse, në fund, heroi është i dyndur nga pikëllimi, shpresa nuk i zhduket.
Sikurse ka vënë në dukje kritika, “kalimi në truallin e përrallës klasike
azerbajxhanase, i jep besimin për një të ardhme më të mirë"*.
Si përfaqësues i
mirëfilltë i kombit të vet, Anar na i shpalos me një bukuri të rrallë virtytet,
talentin e dinjitetin e azerëve, atdhedashurinë e krenarinë për të qënë azer,
guximin për të luftuar në emër të idealeve fisnike, për liri e pavarësi, për të
jetuar në fqinjësi të mirë me vendet e tjera, për t'u çapitur i sigurtë në
rrugën e përparimit, me punë të ndershme. Me një frymëzim prekës janë
përshkruar figurat e shquara të historisë kombëtare, njerëzit e e pushkës e të
penës e bukuritë e natyrës së Azerbajxhanit. Protagonisti kryesor i librit
është Melik mamedli, një alter ego o autorit. Dashi i bardhë –
mbartës i gjithçkaje të mirë, pozitive dhe dashi i zi – sinonim i ligësisë e i
negatives, në kundërvënien e ndërsjellë, ngjizin një antitezë të fuqishme, në
sfondin e së cilës shquajmë ngadhnjimin e së bukurës, e fisnikes në jetën e
perspektivën e Azerbajxhanit e të popullit të tij.
Botimi i librit “Dashi
i bardhë, dashi i zi”, vjen pas daljes, para jo shumë kohësh, në shqip, të
romanit “Trashëgimtari i oligarkut”, të prozatorit të shquar
azerbajxhanas Çingis Abdullajev. Pritja e ngrohtë që iu rezervua kësaj vepre,
dëshmon, ndër të tjera, se lidhjet shpirtërore dhe veçoritë e përbashkëta të
karakterit e të traditave shumëshekullore të të dy popujve tanë, shqiptar e
azer, gjejnë shprehje edhe në krijimtarinë e kultivuar. Dhe kjo nuk duhet parë
kurrsesi si diçka e rastit. Pse themi kështu? Shpjegimin na e japin shekujt,
madje mijëvjetshat... Sipas burimeve historike, në shekullin IV para erës sonë,
zunë fill dy formacione: Atropatene dhe Shteti Shqiptar.
E ndodhur në veri të
Azerbajxhanit, Mbretëria Shqiptare shtrihej nga Kaukazi i Vogël, në rrjedhën e
poshtme të lumenjve Kura dhe Araks, deri në degëzimet verilindore të vargmaleve
të Kaukazit të Sipërm. Shqiptarët kaukazianë, sikurse shkruan Straboni, jetonin
“ndërmjet iberikëve dhe Detit Kaspik”.
Në dritën e të
dhënave të paraqitura nga gjeografi aleksandrin Ptolemeu, Shqipëria fqinjësohej
në Veri me një pjesë të Sarmatisë, në Perëndim me Iberinë, ndërsa në Jug me një
pjesë të Armenisë. Megjithse kufijtë politikë të Shqipërisë nuk ishin të
qëndrueshëm dhe ndryshonin shpesh, mund të thuhet se, në përgjithësi, territori
i këtij vendi në peiudhën helenistike përfshinte trevat e Azerbajxhanit të
sotëm dhe krahinat jugore të Dagestanit. Autorët e lashtë dhe rezultatet e
gërmimeve arkeologjike, e përshkruajnë Shqipërinë Kaukaziane si një vend të
begatë, me toka pjellore e me popullsi të dëndur. Për fiset që kanë banuar atje
mësojmë fillimisht nga autorët grekë e romakë. Nga pikëpamja etnike, Shqipëria
Kaukaziane ishte tejet e larme, me 26 fise shqiptare.
Të dhënat
arkeologjike dëshmojnë se bashkimi fisnor u bë realitet duke filluar nga gjysma
e dytë e mijëvjetshit I para erës së re. Në territorin e Shqipërisë Kaukaziane
kanë banuar edhe fise të tjerë, që nuk kishin prejardhje shqiptare. Nga fundi i
mijëvjetshit I e sidomos në shekujt e parë të erës sonë, Shqipëria Kaukaziane
shfaqet në burimet e shkruar si shtet me ekonomi të zhvilluar e të qëndrueshme.
Toka punohej me kujdes, tregtia lulëzonte, krahas frutikulturës,
legumikulturës, vitikulturës e kulturave industriale. Poçeria, po ashtu, na ka
sjellë shembuj trajtash e përmasash të ndryshme: enë balte, bucela, qypa etj.
Prodhimet e arteve të aplikuara i shohim në skalitjet në gur, në kocka e në
dru; prodhohej qelqi dhe praktikohej mjeshtëria e endjes së qilimave etj.
Sipas mendimit të
shumë hulumtuesve, Shqipëria Kaukaziane nuk duhet të ngatërrohet me Shqipërinë
e ndodhur në Ballkan. Është e vërtetë që, tanipërtani, nuk kemi asnjë dokument
të shkruar, i cili t'u vijë në ndihmë atyre që nuk përjashtojnë mundësinë e
ekzistencës së disa lidhjeve të lashta e të fuqishme ndërmjet entiteteve
Shqipëri (e Ballkanit) dhe Shqipëri e kaukazit, por nuk mund të anashkalohen
veçoritë themelore të panumurta, të cilat të dy popujt, shqiptar e azer, i kanë
të përbashkëta, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me karakterin e konstitucionin
shpirtëror, dashurinë ndaj atdheut e gjuhës, madje edhe pamjen fizike tepër të
ngjashme. “Të hijshëm, shtatlartë, flokëzinj e sygështenjë” cilësohen
shqiptarët kaukazianë nga autorët e lashtë. E, pra, nuk e kemi aspak të
vështirë t'i përqasim malësorët e Azerbajxhanit të sotëm e të Dagestanit, me
ata të Shqipërisë ballkanike. Edhe përshtatja e tyre në të njëjtat kushte
klimatike na shtyn të përsiatim më tej në këtë drejtim. Një argument tjetër që
do t'i përligjte përçapje të tilla, është fakti që, në kohëra të largta, për
shkaqe tashmë të njohura, - luftra, shkëmbim popullsish, internime, - ka të
ngjarë që një pjesë e popullsisë të jetë zhvendosur, shpërngulur në një drejtim
apo në një tjetër. Dhe, nuk është çudi që, në këtë çështje të bëhemi dëshmitarë
të shndrrimit të disa hipotezave të zbehta në teza themelforta!**
Me interes të veçantë
në këtë libër të Anarit është dhënia me origjinalitet e me elegancë artistike e
gjendjeve shpirtërore të protagonistëve, të cilët nuk janë më midis nesh, sidhe
të atyre që janë gjallë. Evokimi plot patos i veprës së kryetrimave të kombit
gjatë shekujve është shoqëruar me rrjedhojën e natyrshme që emri i tyre nuk
duhet harruar për asnjë çast. Ata duhen kujtuar jo vetëm me raste përvjetorësh,
por në mënyrë të vazhdueshme, jo thjesht për respekt, por për t'u pasur si
model në punë e në jetë. Një gjë e tillë ka tingëllimën e një imperativi
historik e të një grishjeje për të qënë kurdoherë të gatshëm për t'u dalë zot
fateve të kombit e të atdheut, qoftë edhe me çmim sakrifice. Qoftë kur vihen në
përdorim figurat artistike e stilistike, qoftë kur përshkrimi “fotografon”
realitetin bardhezi, synimi mbetet i pandryshuar: brezat e rinj nuk duhet dhe
nuk kanë të drejtë të harrojnë se mirëqënia, liria e demokracia, që kanë
ngadhnjyer në Azerbajxhanin e sotëm, kanë në themel lumenj gjaku, therrori të
panumurta, djersë e mund. Këto dhurata të paçmueshme që ua kanë sjellë
pararendësit, jo vetëm duhen ruajtur e mbrojtur si sytë e ballit, por edhe
duhen pasuruar më tej, pa fjetur mbi dafina.
Krijimtaria e Anarit,
ashtu sikurse thekson Çingiz Ajtmatovi në parathënien e Veprave të
zgjedhura të Anarit, në katër vëllime, të botuara në gjuhën ruse
(Baku, 2005-2008), “trajtohen çështjet më të mprehta në jetën shpirtërore të
popullit të vet, ndërsa autori përpiqet të japë përgjigjje adekuate, përgjigje
të cilat i kërkon bashkë me heronjtë e tij”. Kjo është arsyeja që edhe
libri “Dashi i bardhë, dashi i zi”, - stilistikisht një përzierje e arrirë e
shumë gjinive: tregim, novelë, reportazh, skicë, dramë, satirë, pamflet, ditar,
prozë poetike, mikromanual historie, gjeografie, traditash e zakonesh, -
lexohet me një frymë, nuk të lodh, nuk të mërzit. Përkundrazi, të ngazëllen, të
prek në thellësi të qënies, të fisnikëron, të pasuron shpirtërisht e
mendërisht, të dhuron dijeni në shumë fusha.
Kur mbërrin në
rreshtin e mbramë të veprës “Dashi i bardhë, dashi i zi”, e kupton se
shija e këndshme t'i ka rrokur të gjitha shqisat e vetvetiu thua: “Përse mbaroi
kaq shpejt?!”. Por, fatmirësisht, fill paskëtaj, qetësohesh kur mendon se ky
vërtet është libri i parë që po merr në dorë nga Anari, por kurrsesi i fundit.
Ai do të pasohet edhe nga të tjerë, për të mirën e lexuesit, por edhe të
autorit e sidomos të forcimit të pandalshëm të miqësisë vllazërore e
tradicionale ndërmjet dy popujve e dy vendeve tona – Shqipërisë dhe
Azerbajxhanit.
Kopi Kyçyku
Bukuresht, pranverë,
2008
* Anar, Berbecul alb, berbecul
negru, basme utopice şi antiutopice, - traducere, prefaţă şi glosar de
Dumitru Bălan, Paideia, Bucureşti, 2004, p. 10.
** Për më shumë hollësi, shih Kopi Kyçyku, Scurtă
istorie a Azerbaidjanului (Histori e shkurtër e Azerbajxhanit),
Librarium Haemus, Bukuresht, 2007.