Dr. Ardian Kyçyku: Një roman për farat pa emër [AL]



(Disa mendime mbi romanin “Kukullat e pyllit” të Hiqmet Meçajt, Shtëpia Botuese Triptik, 2003, botim i dytë, 189 faqe, ISBN: 99927-854-4-6 )


Dalje

Në botën ballkanase të letrave, numuri i atyre që trumbetojnë vdekjen e kahershme të romanit, shterjen dhe shfuqizimin e tij, është pothuajse i barabartë me numurin e atyre që besojnë në triumfin e tij të ngadaltë e të pashmangshëm. Mes çudirave që ka sjellë sindromi (për të mos thënë: vesi) i integrimit, mes dyndjes së të paftuarve që gëzojnë Pavdekësinë me botime luksoze, promovime, çmime dhe përkthime në gjuhë të qarkullimit ndërkombëtar, shquhen qartë shkrimtarët që s’rreshtin së botuari, - për të bindur veten dhe të tjerët se nuk janë shterur, - shkrimtarët që botojnë për të mos u vakur më tej me ndonjë veprimtari tjetër, si dhe autorë të përkushtuar, që lexohen pak (ndofta ngaqë nuk shiten aspak).
Është një stërmundim që prek majat e idealizmit të kulluar të shkruash një roman në gjuhën shqipe, ku tre në dy vetë merren me letërsi dhe ku mjegullimi i sistemit të vlerave sajon e pluhuros hierarki shpesh absurde dhe tragjike. Vlera e mirëfilltë e një vepre letrare peshohet me mjetet e shitblerjes, ashtu siç mund të caktohej vlera e një pikture nga pesha e ngjyrave që janë përdorur, apo nga numuri i qimeve të penelave, teksa kapitja e lexuesit, vëmendja e tij e çoroditur nga hallet e përditshme, shihet si përqindje përjetësie e librave të shkruar fundekrye në harmoni me tezat zhdanoviste. Idhujtaria nuk e ka për gjë të shohë në rënien e përgjithshme shpirtërore ngadhnjimin e një letërsie tejet tokësore, ateiste (gjoja laike, botërore, e lirë dhe e pavarur), që e bind lexuesin se universi kaq është, dy-tri dashuriçka, ca komplote në terrin e historisë, ndonjë frikëzë e fshehtë, ndonjë përpushje, pickim, kafshim gjinjsh, ndonjë ndarje dhe vaje të kallura në tesha postmoderniste, servirur në një shqipe të çartur nga barbarizmat dhe që synon të paraqitet si mëmë e ardhmërisë.
Fatmirësisht ka edhe shkrimtarë që ia kanë dalë mbanë të ngrihen mbi vetveten e detyruar dhe të bjenë në dorën e bekuar të servantizmit (term i imi, A. K.), domethënë: të krijojnë vepra befasuese në një moshë të nderuar. Rasti i Hiqmet Meçajt[1] nuk mund të përfshihet këtu, nëse lexuesi cilësor ka ndjekur me vëmendje ecurinë e poezisë dhe të prozës së shkurtër të këtij autori.
Njëra nga meritat e mëdha të romanit «Kukullat e pyllit» lidhet edhe me kohën: pamundësia e plotë për të gjetur moshën e autorit. Mençuria e këtij të fundit, lehtësia me të cilën e sundon nga rrënjët lëndën artistike, rrjedhja e fjalës nga lënda (jeta) drejt letërsisë (rikrijimit të realitetit) zëvendësojnë moshën dhe tiparet vetjake të autorit, duke arritur atë që vetëm talenti i lindur mund ta ketë: fuqinë prapavepruese. Asnjëherë nuk është vonë që një vepër arti të botohet shumë vite më vonë se të tjerat dhe të jetë pararendësja e tyre. Duhet shtuar se romani «Kukullat e pyllit» nuk ka ende një pararendës, të paktën në letrat shqipe. Autori ka dalë të bëjë art pa fund me mund magjie e jo magji, e as të ndreqë dynjanë, sepse, si çdo shkrimtar i mirëfilltë, njeh po aq mirë sa jetën edhe kufijtë e vetvetes.

Përroi dhe psikika e ngjarjeve

Kulti i historisë së ngarkuar, të koklavitur, plot shembje, intriga, vrazhdësi e absurd, merr në romanin “Kukullat e pyllit” një goditje të merituar. Ngjarjet nuk rrjedhin nga e majta në të djathtë, nga lart poshtë, ose anasjelltas, por nga një bërthamë gati e padukshme, si spermatozoid[2] që turret të bëhet vdekatar, të plaket e të shuhet sa më shpejt. Autori heq dorë me vetëdije nga qindra efektet dhe hiperbolat që ofron realiteti ballkanik, zgjedh rrugën më të mundimshme, atë të thjeshtësisë së parme, dhe ndeshet me kohën. Qarkullojnë mjaft përcaktime të kohës, qoftë në letërsi, qoftë në filozofi. Hiqmet Meçaj e shqyrton kohën edhe në esenë që shoqëron romanin dhe që synon të japë një ide rreth rrymës të cilën ai e emërton «mikrobotizëm». Bindjet e modernistëve dhe të pasmodernistëve duken sot njëfarësoj të tejkaluara, ose jo fort kënaqëse. Përgjigjet e viganëve të shpirtërimit ngrihen mbi to fare natyrshëm dhe na ndihmojnë që ta shohim shumë qartë letërsinë dhe jetën e sotme. Kur më pyet ç’është koha, nuk di të të përgjigjem, thoshte Shën Agustini. Kurse, kur nuk më pyet, di të të them ç’është koha. Para, gjatë dhe pas fjalëve të Shën Agustinit, rridhte kohë, dhe kjo është e vetmja përgjigje e mundshme. Koha është parë edhe si rrjedhje e sendeve dhe e qënieve në hapësirë, por eshtë parë edhe si hapësirë mes ftesës së Hyut dhe përgjigjes po, ose jo, të njeriut (i ftuari). Në romanin «Kukullat e pyllit» Hiqmet Meçaj i mbështet tërthorazi përfytyrimet e mësipërme, por me mjete vetëm letrare. Ai shprehet mes rreshtash se qënia njerëzore nuk është një e vetme, por një shumë qëniesh të cilat i bart në vete, i takon, i njeh, i jeton gjatë jetës, dhe vdes në hipostazën e njërës prej tyre. Autori nuk e përjashton mundësinë që copëzimi i qënies dhe dallimet mes njërit copëzim dhe të tjerëve të jenë një gjetje e modernistëve për ta bërë realitetin më të pranueshëm. 

Një pamje e re e vëllavrasjes

Romani sjell një pamje krejt vetjake të botës shqiptare dhe evropiane, përtej legjendave të shpikura dhe maktheve të dalë boje. Romani ka jetë - dhe kjo jetë është e rëndomtë, e mrekullueshme, e paparashikueshme, shkatërrimtare, shajnitëse, si të gjitha qëniet dhe gjërat që s’kthehen më. Një poet i ri (Admeti), caktohet të punojë në fshatin Kajat, detyrohet të ndahet nga e dashura, dhe shkon në një hapësirë që nuk gjendet në asnjë hartë e ku mezi e presin ta bëjnë pijanec e puthador. Aty “asgjë s’kishte ndryshuar që nga koha e pellazgëve, vetëm se trupat e njerëzve qenë zvogëluar, truri qe bërë sa i pulës, kurse këndezët këndonin njëlloj dhe thoshin se vezët i bënin ata» (f. 44). Në klishetë jetëgjata të realizmit socialist, poeti i ri do të kish zbuluar Parajsën e krijimit gju(hë) më gju(hë) me popullin, njerëz të thjeshtë plot mirësi, dëshirën e pafundme për punë, duar e kokë me kallo, besnikëri të përjetshme ndaj Parti(ve)së etj. Admeti nuk e ka këtë fat. Ai zgjohet mes një bote që ka një krejt tjetër lloj pasurie: pasurinë e së pakthyeshmes. Kajati gjallon në histori e gjeografi sipas ligjeve të farave që e sundojnë, ndonëse syrit të ardhur nga tjetërkund, arkeologut enigmatik Xhuzepe, nuk i shpëton e vërteta se “Po ta dinit sa popuj e sa ushtri kanë kaluar këtej, nëpër këta male, sa gjuhë të huaja janë dëgjuar të fliten, atëherë do të ndjeheshit vërtet të mburrur, që këta këtu (tregon kafkat e shqiptarëve të lashtë – sh. im) fituan mbi të gjitha këto gjuhë” (f. 52). Pasi merr nga Kajati kafka, stolí e plot sende të çmuara, që fshatarëve u duken çinglamingla, Xhuzepja dërgon në hapësirën nga e cila vjen edhe material jetik, farë të zgjedhur, çunakun Shaho. Është e lehtë të përfytyrohet shpirtërimi i Kajatit pasi farat e mira shkulen e mbillen në truall të huaj, të largët, nga ku disa kthehen dhunshëm e nga ku të tjerat, që kanë gjetur vetveten, nuk do të duan të kthehen më. Vijnë kohëra, gjatë të cilave, siç shprehet me të drejtë hoxha i fshatit, vëllai duhet të ruhet nga vëllai.
Romani rimerr nga një tjetër kah parabolën e krishterë të martirizimit, trajtuar edhe nga Dostojevski, Gide apo të tjerë. Vetëm kur kokrra e grurit vdes, ajo jep shumë fryt. Po nuk vdiq… Në romanin e Hiqmet Meçajt kokrra e grurit është farë pa emër. Është farë e keqe dhe farë e mirë. Farat janë lindur që të ndeshen për jetë a vdekje. Fara për farën është vdekje. Sipas autorit, “fara që u kultivua mirë, po të kthehet e të ndrydhet në ambjentin e parë, domethënë të egër, e ka të vështirë të rrojë, të zhvillohet, kurse ajo që u rrit në ambjentin e parë, domethënë në gjendje të egër, megjithëse i afrohet gjithnjë e më shumë egërsisë, jeton përbukuri” (f. 49).
Farat mishërohen nga dy kushërinjtë e parë, Shahoja dhe Baxhoja. I pari del nga hapësira e egër, jeton ngadhnjimin e vet në hapësirën e lirë dhe frytëzuese të Perëndimit, pastaj firmos një peticion si shumë të rinj të kohës, dhe sos në truallin e parë, kur binjaku i dikurshëm shpirtëror, Baxhoja, pasi ka kaptuar me guxim shkallët e të qënit kusar, pushkatar, partizan pa din e pa iman, komunist i thekur etj, është shndërruar në pushtetarin e përjetshëm të hapësirës. Shahoja u qe përkushtuar bimëve, insekteve dhe gjenetikës, nuk e kishte haberin në punët e njerëzisë, kurse Baxhoja as që donte t’ia dinte për arritjet e gjenetikës, për thellinat e ndritshme apo të frikshme të filozofisë. Ai ka pushtetin dhe, kur ke pushtetin, bindesh se ke pushtet mbi vetë pavdekësinë. Ç’peshë mund të ngrejë filozofia, dhembjet e dashurisë së vrarë, e pamundësisë për të dëshmuar se nuk je kukull, por qënie e gjallë, e shkatërrueshme nga gjithkush e nga gjithçka, ndonëse e pavdekshme në thelb?!

Makthi

Duke zbuluar mjeshtërisht lidhjet e brendshme të librit, njëri nga kapitujt e romanit përfundon me shenjën “:”, kurse një tjetër (f. 68) përbëhet vetëm nga një fjali: «Të gjitha këto kishin ndodhur, apo do të ndodhnin?». Lexuesi ftohet në ankthin më mizor që përjetuan shqiptarët gjatë gjysmëshekullit të kuq. Ankthi i atyre që mund të ndodhnin, që ishin të gjitha të përbindshme dhe që, për fat të keq, pasi ndodhnin apo jo, duke fituar forcën e errët të makthit, rrënonin e drobitnin me të njëjtën egërsi. «Por plaku Shaho, thotë autori, që nga ajo natë nisi të plakej çdo ditë e më tepër, të zbardhej në fytyrë e të kërrusej në trup, megjithëse Admeti qe i bindur se atë natë nuk u tha gjë që ta rëndonte, sepse ajo natë nuk kishte ndodhur» (f. 143). Bjerrja e farës së mirë ndodh pas një nate që mund të quhet e pranimit dhe e faljes së madhe. Natë kur Shahoja pranon se, gjatë gjithë jetës, është mbajtur një grimë larg shkatërrimit përfundimtar pikërisht nga fara e mbrapshtë, Baxhoja. Ai ia fal ish-kusarit të gjitha, jo vetëm sepse nuk ka mjete për të mos falur, jo vetëm se, si qënie e zgjedhur, është ngjizur të zbatojë parimin kuranik «Mëshira Ime ia kalon hidhërimit Tim», por edhe sepse tashmë dhe parreshtur është një njeri krejt tjetër. Një njeri që dyshon përnjimend nëse ka qenë ndonjëherë i ri, jashtë shtetit, i dashuruar me një të huaj të mrekullueshme, dishepull i një profesori që nderohet më vonë me Çmimin Nobel, i lirë e sidomos krejt i pavarur nga mëshira e Baxhos. «Ishin vite të lumtura, mbushur me suksese e dashuri verbuese, prandaj i picërronte sytë në të gjitha pozat» (f. 167).
Ishin!
Vargu i tjetërsimeve, që, me sa duket, mund të mbyllen (pó për-kohësisht) vetëm me vdekjen e njeriut, përfaqëson kredon filozofike të autorit. Shpërbërja e qënies, dyzimi, trizimi a shumë-zimi i saj në hapësirë, por sidomos në kohë, shprehet dhimbshëm në mbyllje të romanit. «Edhe ato shënimet që grisa e i flaka në zjarr, thotë Shahoja, nuk kanë lidhje fare me mua plakun, por më atë, të riun[3], që vazhdoj ta mbaj brenda vetes sime, t’i ndjej çdo ditë dhimbjet, rënkimet e përpëlitjet» (f. 178).

(Sh)qytetërimi

Pjella e farës së keqe, në një pikë kulmore të romanit, plagos për vdekje (burrërie) pjellën e farës së mirë. Djali i Shahos nuk arrin të bëjë më fëmijë, sepse thika e Billit, djalit të pagjak të Baxhos, ia pret këtë dhunti. Kuptohet të kujt janë të katër nipërit e farës së mirë. Lexuesi ndjen në eshtër se kjo ngjarje jo vetëm mund të jetë e vërtetë, por edhe se nuk është skaji i mbramë ku mund të arrijë kafshëria e njeriut të kohës sonë. Dhuna është e pranishme në çdo faqe të romanit, e përcjellë me qetësi dhe gjithëkuptim shpirtëror – mbase bindje se vetëm gjithëkuptimi do të mund ta mposhtë gjithë këtë mallkim të zi. Nënës i vritet burri dhe djali dhe i jepet kurajo djallëzisht me një «Ki kujdes tjetrin!» (f. 127). Mirpo terrori, në mënyrë krejt të natyrshme, ka nisur e vazhdon të hajë edhe pjellat e veta. Roja që i caktohet Admetit, haf(h)ija e kudondodhur, me të cilin, falë bashkëjetesës së detyruar, i përndjekuri gati ze miqësi, dërgohet Alpeve të lavdishme të Shqipërisë dhe nis të vrasë burra e të çnderojë gra, derisa një plumb ia hap syçkën e tretë në zverk dhe i zgjon Admetit një mendim shkundullues. "Po ta kishin lënë të më ruante mua, thotë, ndoshta do të rronte e do të bëhej njeri i mirë" (f. 121).
Disa nga pasardhësit e farës së egër provojnë heraherës ndonjë kafshim ndërgjegjeje, por nuk dalin dot e as që duan vërtet të dalin nga vetvetja. Mbesa e Baxhos bijësohet prej një ambasadori komunist, bredh e këndellet jashtë shtetit, dhe që atje sjell si trofé për Kajatin dhe atdheun në përgjithësi, si paradhënie për tranzicionin, një kuti të babëzitur Pandore. Sa mirë është të drogohesh atje larg, mes të panjohurish, me djersën dhe gjakun e barbarëve, që s’i njohin virtytet e hashashit e as mrekullitë e jetës diplomatike! Mesazhi është i qartë si tehu i shpatës: murtajën e sotme e sollën pak nga pak ata që dje mund të dilnin nga kafazi, ata që mund të bridhnin dynjasë, që rronin në vend tonë jo në vendin tonë.

Hyrje

Romani «Kukullat e pyllit» zgjon shumë më tepër mendime dhe mbase edhe polemika. I shkrova këta rreshta nën bindjen se mangësitë e mundshme të një vepre përbëjnë atë që tashmë e dimë, ndërsa arritjet e saj dhe vlerat e papërsëritshme janë dhuratat pa të cilat do të mbeteshim dijetarë të pashoq. Besoj se nuk ëndërrojmë të jemi të tillë. Hëpërhë na mjafton ëndja e dhuruar nga pena e pangatërrueshme e Hiqmet Meçajt, shkrimtar që, me përkushtim e aftësi të rralla, siç më shkruante në një letër nga hapësira greke e Mërgatës shqiptare, «kish nja 40 vjet që rrinte në qoshen e tij». Qoshe, së cilës letërsia shqipe duhet t’i bëjë patjetër një përkulje nderimi. S’ka vdekur njeri nga kjo.

Bukuresht, dimër 2005


[1] Shkrimtar shqiptar lindur në Vlorë më 2 maj vitin 1944, antar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë qysh në vitin 1964, nismëtar i Klubit "Drita" të Athinës, autor i vëllimeve: „Nisja” (poezi, 1967), „Ditë pranvere” (poezi, 1971), „Tokë e pagjumë” (poezi, 1983, nderuar me Çmimin Libri më i mirë poetik i vitit), „Tek ju trokas” (poezi, 1988), „Vetëvrasja e qirinjve” (poezi, 2000), „Kukullat e pyllit” (roman, 2002 dhe 2003, fitues i konkursit „Drita”, Toena, Onufri), „Kujtesë e shpikur” (poezi, 2003), „Për Askund” (tregime, 2003), „Çikpaku” (roman, 2003). Hiqmet Meçaj është përfshirë në shumë antologji dhe tekste shkollore dhe i përket rrymës letrare mikrobotizëm.
[2] Mes faqeve 175-176 të romanit gjejmë edhe monologun kuptimplotë të një spermatozoidi. „Edhe unë isha një spermatozoid që synonte mitrën e nënës sime, po ama tepër dinak e i mënçur. U fsheha në turmën e miliona të tjerëve, i bëra të grinden e të vriten me njëri-tjetrin. Kështu m’u hap rruga të shkoja fitimtar e të mbillesha për t’u bërë embrioni i atij që jam. (…) që këtu kuptohet se, që pa lindur kemi gëzuar kur të tjerët janë vrarë e kanë humbur ngaqë kemi dashur për vete të mos vriteshim e të fitonim”. 
[3] Është fjala për të riun shqiptar që kthehet nga jashtë dhe këmbëngul të japë shpirt në duart e Shahos. Kur ky e pyet pse po zgjedh pikërisht duart e tij, tjetri i gjegjet: „o njeri i pyllit, më ka lodhur shumë qytetërimi me ato prapësitë e tij” (f. 174).



Popular Posts