CLARA MĂRGINEANU: Vallëzim me thikën në zemër - Poezi/i [AL]

Poete dhe gazetare televizioni, lindur më 4 korrik 1972 në Bukuresht, ka mbaruar studimet e larta në Akademinë e Teatrit dhe Filmit „J. L. Karaxhale”. Antare e Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë, autore e vëllimeve: „Akti i Parë, ose Kupa me Iluzione”, „Të gjorat të diela”, „Bast me miqësinë”, „Dashuria vjedhurazi”, „Dyer të murosura në një fat tjetër”, „I burgosuri i lirisë”, „Vallzim me thikën në zemër”, „Maskat e Kleopardes”. Fituese e një sërë çmimesh për poezinë dhe gazetarinë televizive. Ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë në vitin 2020.

“Është thënë për poezinë e Clara Mărgineanu-t se është si një klithmë. Kam frikë së nuk është ashtu. Vargjet e saj nuk kanë ngulmimin e klithmës, ata ngjajnë më fort me vargjet e Leonard Cohen-it (...) Bota e Clara-s është një botë e shfytyruar, ku ngadhnjimi është fillim i dështimit, teksa dështimi është trajta e epërme e ngadhnjimit. Kalimi nga ekstaza në agoni ndodh vetëtimthi, asgjë nuk zgjat e mbijeton, lumturisë së sotme i kundërvihet munxosja e nesërme. E vetmja pikë e sigurtë e kësaj bote të shkitshme është poezia”. Tudorel Urian


me një trëndafil të verdhë

Jeta e krisur në dy pjesë (nuk di nëse të barabarta)
Vdekja - e bërë pluhur
Zemra ime, si një dhomë e rrëmujshme, ngjyer në të kaltër
Një femër thith me brishtësi moshën e vet
(S’ia njoh shijet, i njoh vetëm shijen).

Kam puthur një nga maskat që flasin
Një mëngjesi vere
Pasonte një si punë dasme
(Jam e vé pa nusëruar ende)
Kaq lule përreth, e unë
Shtrirë mbi shtratin me thëngjij
Jam gjallë.

Kundër kujtimeve që më ruajnë
Ngre një trëndafil të verdhë
(Në gjuhë kam shije baruti).

Vdiq femra që ti, një mëngjesi
Deshe ta njihje
Rron vetëm femra që e ke parë tek endet
Mes artesh

Teksa jeta do t’i kish mjaftuar.


ngaqë nuk e vranë me gurë

I pari ngriti gurin
Ai pa mëkat
E pasuan të tjerët
Që shtinë e ia mbathën.
„Unë jo”, „Jo unë”
„Nuk fillova unë i pari”
Ulërinin ndër mejhane vrastare
Ku villet
Helm e vodkë.


goditur nga të gjitha anët

Rubin i flakëruar, një lot si një bast
Nuk kam fshehur asgjë
Asnjë krim, asnjë turp
Ja, fqinjësia e një njeriu
Të goditur nga të gjithë krahët
Shkëndritje përunjësi e zvjerdhje
Maja e thikës ledhaton me epsh gurmazin

Sot dua të ngjit nëpër qytet
Faqe ditari të zverdhur
Mes të cilave kam vënë të hekurosen
Petale gjaku.


kam qënë nepërkë

Kam qenë nepërkë
Të kafshova
Të rinova vdekjen

E dehur, ajo gdhirje
Drithëron nën shkëmbin e gjumit


Edhe pak

nuk vdiqa nën shkëmbin e iluzionit
por mbetet ende pak
dhe do të shkruaj në lotin vigan
të moshës sime
prekjen tënde.

edhe pak
e do të kapem pas këmbës sate
për t’u tërhequr zvarrë
përtej kaosit
të këtyre kohërave


Ç’ka shkrova s’është veç fëshfërimë

ç’ka shkrova s’është veç fëshfërimë në një farë të ashpër
është pjesa e munduar e imja
është kurora ime me gjemba
njëfarë thyerje gishtash
para se të prekin tastet

jam kryer (për)mes dhimbjes

jo, nuk do të kisha qënë ajo që jam tani!
jam vejushë ende pa qënë nuse

vetëm poezinë nuk e them, nga frika
se do të më besojnë
për fjalë të nderit.


rrëfenjë e shkurtër mbi rrahjen me kamxhik

E la veten të shitet për një puthje
Iu mbërthye në zemër një gozhdë e skuqur
Klithma e saj zgjoi mbarë qytetin

Të nesërmen e rrahën me kamxhik në shesh
Se turbulloi qetësinë

Tani sheh veç të kuqe
Tek puth muret e qytetit
I cili qysh atëhere
Vuan nga pagjumësia dhe është shurdhuar.


Tejmase

të falenderoj
që nuk më dashuron më

përndryshe do të kisha qënë
një bletë
e mbytur në mjaltë.


veç atëbotë jam poet

Kur s’kam më armë
Shkul zemrën nga gjoksi
Dhe ua hedh qenve ta hanë

Dy sy të nxjerrë nga sqepi i fatit
Dy prindër të vdekur

Dy pjestuar me dy
Vetmia m’i konfiskon të dielat
Kur femra brenda meje ulërin egërsisht
Veç atëbotë jam poet.


Vëmendje

mirë që ma pe shtresën e kremit
mbase ashtu do të kuptosh se jam përtej!

syri im që nënqesh
nuk do të ngrijë në venat e prera.

hap sytë
virgjëresha që humb
me kalimin e kohës
ngathtësitë
është gruaja që hesht
duke të nuhatur
ngadalë
vdekjen e rinisë.


Shfaqje

nuk je veçse plaga më e freskët
- do më zgjojë saherë të kem ftohtë -

sa hijshëm ëndërronim peshq të shpëtuar
si në „Arizona Dream”.

ç’hënë e plotë ngërdheshet ndaj meje
duke më treguar me gisht,

çfarë shfaqjeje!
teksa ju qeshni
unë vdes.


ndajnatë korriku

në kujtim të shiut në kopshtin e një manastiri

U ndez hija e sahatit tënd mbi tryezë
U thye befas gota nga ku pate pirë.

Bie një telefon që e ke humbur
Në një rrëfenjë
Pa fitimtarë pa të mundur
Ku e vërteta s’ka më pikë fuqie
E pendesat as aq...


Loti

jam lot
para se
dikush
të më ketë vajtuar ndonjëherë.

e kjo vetëm
ngaqë ti
më fshive.

Zgjodhi e shqipëroi Ardian-Christian Kyçyku

Popular Posts