MARIAN DRĂGHICI: Metafizika e litarit... - Poezi/i [AL]



-->


Poet, eseist dhe gazetar, lindur më 25 mars 1953, autor i vëllimeve: „Mbi artin poetik”, „Loja e bilardos në pyllin rus”, „Snajperi dhe gjeli prej teneqeje”, „Harrum. Libri i dështimit”, Drăghic-i (Drëgiç) cilësohet si njëri nga poetët e shquar të rumanishtes, kurse poema „Snajperi” - si një nga kulmet e poezisë rumune postmoderniste.

Snajperi


S’DO TË VDES NË PARIS GJATË NJË DITE ME SHI
s’do ta shoh Parisin hoqa dorë
nga femra që dukej se do të më bindte
me një puthje nga mëshira publike të vdisja në Paris gjatë një dite me shi
para se të plakesha këtu
ku fshihet snajperi
ku snajperi fshihet në turmën vendase
para se të plakem këtu duke numuruar gjthnjë paret
e gotëzës që na u dha
e gotëzës që na u mor
qoftë i bekuar emri i gotëzës
para se të plakem këtu duke dëgjuar veç shiun
me të syrgjynosurit e të vdekurit / shushurimën e tij natësore
tek dyndet mbi shtëpirat e turmat
e zotit snajper
turma plot lule e zogj me këmbana e kisha etj.
tufa ku kam groposur dy metra nën tokë
një ndajnate nëntori
si qeni Gustav eshtrat e dashura
shtëpinë, gruan e (për njëfarë kohe) zërin e brendshëm.
Rrituni, sfungjerë, Zoti ju mbrojttë.
Ngadalë e padyshim mbërrita ku pata ikur
në ferrën me buf e këmbanëza
ku ngjyra rozë e shkërdhatërisë mposht shpirtin vendas
ku e qeshura e ateistit mposht shpirtin vendas
ku bufi me këmbanëza mposht
shpirtin e vendit

GJATË BISEDËS SË PARË SY MË SY ME SNAJPERIN
i pranishëm ish edhe i moçmi
e besniku im foksterier Karl Gustav
në fshehtësinë e një bari rrethinash me igrasi
me tym muzikë vodkë mister
prej rrethinash padyshim
në mbrëmje më pesë tek kuptoja se jeta ime ngrihej në qiell
me çdo gotëzë
snajperit iu mbushën sytë me lot
Po ashtu edhe plakut tim besnik foskterier.

MË NË FUND NA DOLI SENTIMENTAL EDHE ZOTI SNAJPER
Pas një gote mbushet breshka brenda tij dhe vlon
ateisti i përgjakshëm mes lotësh prej snajperi
Klientët e paktë qenë tretur kamarieri qerrata
truproja dhe striptiza thua kishin hyrë në dhé
nga frika e snajperit -
në një bar periferie kjo ndodh shpesh.

SA PO I THOJA PLAKUT BESNIK
FOKSTERIER
se është koha të ik pas asaj gotëze të mbrame
udha gjer te porta gjer në qiell me gotëzë e me gjithsej
dhe me të roztën mendore në gotëzë
kur zoti snajper nisi të shpërndante
mes lemzash tipike një nga më vetjakët
zëra që kam dëgjuar:
«... zotni hëk

FANTAZMA E LITARIT ENDET MBI BOTË, mbyll mijëvjeçarin hëk
me një mbytje mëse të përligjur hëk
unë jam lindur në një botë (falma përsëritjen) tërhequr prej litari
hëk
në dimrin e ’53-shit. Shoh litarë të ndehur në ajër
si telat e telegrafit e mbi to dallëndyshet
litarë të padukshëm anembanë dallëndyshe anembanë
nga të gjitha anët tërhiqen litarë flatrojnë dallëndyshet
mbi kokën time mbi kokën time e mes meje
ngadalë e padyshim jam bërë njeri prej litari
litar bëhem kur dal jashtë si ndonjë i ushqyer me nyje leshi
qysh në pranverën e parë.

NË ÇDO HAP NDESH BINJAKUN TËND HEQUR PËR LITARI
tek çon jetën egër në fenë e litarit
në kisha prej litari gjunjëzohen njerëzit e rinj prej litari
duke iu lutur me një ekstazë lotësh
zotit të tyre prej litari.
Metafizika e litarit është vdekja në litar.
Dashnia e tij: vaji i kandilit flakëza mistike drithëruese.

KAQ HALLE PAS THURRJES SË PASHKATËRRUESHME TË LITARIT
Jalta Malta. Aq tmerre. Për shembull
nëse unë snajperi me ty poetin & foksterieri zarbo
tek dashurohemi me gotëzën e harrojmë për një çast
se diku dikush komandon jetët tona prej litari
litarët e duarve kokëve këmbëve
jemi të cofur. Po filli i kuq
mes Shtëpisë së Bardhë e Kremlinit a nuk është një copëz litari?
E gjithë fshehtomania loja e prapaskenave e ashtuquajtura diplomaci
pa litar pa shpirtin e litarit
janë të papërfytyrueshme.
realiteti i prekshëm i vetmi realitet
i prekshëm është litari
Çprej kaq netësh dëgjoj litarin tek gërrhet
e litarxhiu tretet në varr.

TË GJITHË KUSH ME TMERR KUSH ME NDOHT KUSH ME HIR
si mizat rropatemi në rrjetën e litarxhiut plak
Litar mish e gjak ja koktejli i ditës / i xhepit.
Në dete rrjeta e litarxhiut peshk i madh peshk i vogël
e në mes njeriu nada asgjë...

Tek rrihte ujë në havan SNAJPERI PO RIFITONTE NGADALË
qetësinë e brendshme baraspeshën kthjelltinë.
Fanitja e klientëve e kamarierit e striptizës
(truproja nuk kaptoi gardhin) ndodhi me njëfarë
gjallërie. Sërish shtjella tymi e muzike rrethinash
gumëzhimë e trashë njëfarësoj e mistershme. E befas lartohet
në ajrin e ndenjur vegimi i mbrëmjes shuplaka e hekurt
e snajperit. Atëbotë pa mua trupi im u gjend dy hapa
pranë derës ku rrinte foksterieri plak
shpirti edhe ai bëri flluska në gotë
flluska bëri breshka e përgjakshme
nga goja e snajperit drejt-e-në baltovinën e mëhallës.

SONTE S’ERDHI ENGJËLLI. NUK SHKROVA.
Sonte duke pritur snajperin
me Jovën e Bokshën shto plakun tim foksterierin Karl Gustav
në kafenenë e quajtur Tek skulptorët në rr. Sundimtarët e Shenjtë
ndjeva se mirëqënia prej mërgimtari mes njerëzish
njëfarësoj u tëharr nuk shkrova.
S’e nxora fotografi poemën ndonëse unë
jam aparati që fotografon poemën.
S’e nxora në fotografi snajperin ndonëse unë
jam aparati që fotografon snajperin. Dua të
them: një murgeshë katolike pretendon jo vetëm
se e ka parë Krishtin, por edhe e ka fotografuar.
Augusto P. ai që lau filmat thotë:
„kjo murgeshë nuk gënjen
s’kam kurrfarë dyshimi mbi vërtetësinë e fotografive”.
Sonte e lashë veten të mposhtej nga gjumi kafsha hipopotami
u zhyt në ujrat e gjumit. Nuk shkrova
Doracak i mbijetesës së poetit ndonëse jam lindur
posaçërisht të shkruaj Doracakun e mbijetesës së poetit.
Pamundësia për të shkruar më shtrydhi si ndonjë plaçkë të pistë
mendimi i pamundësisë më shteri ende pa
nisur të shkruaj.
Çprej ditësh e netësh më shkund
një poemë e madhe D. i. m. p. fryma e saj
sidomos në pranverë kur Saturni hyn në Peshq
orvatet të çelë në fletën e bardhë të shkretë
stepet kthehet kur filloj
t’i ravijëzoj me drithmë përmasat drithmën
nga pjesa e poshtme e fletës së bardhë të shkretë. Dua të them:
a është kjo vallë fytyra e mundshme e Krishtit?

KRYEPESHKOPI MILINGO: „isha atje kur motra Anna
bënte fotografitë. Unë s’pashë gjë
por ajo u ngrit shpejt mori aparatin
dhe nisi ta shkrepte sikur
dikush të ndodhej përpara”.

MOTRA ANNA 27 vjeçe me prejardhje nga Kenia:
„qysh nga fundi i ’91-shit kam pasur mbi 200
vegime me Jezusin. Gjithnjë, para se të niste
të fliste me mua ndihesha si në mjegull
dhe nisja të shënoja mesazhet e tij. Ai më tha:
Shumë vetë s’më dëgjojnë, se nuk besojnë që Unë ekzistoj.
Bëhem i padukshëm për të korrur shpirtrat e Mi”.

SONTE MBRËMA NUK SHKROVA. S’e fotografova snajperin
ndonëse unë jam aparati që fotografon snajperin.
Më tej: kish të drejtë plaku foksterier Karl Gustav
kur i binte kokës me kokat tona dhe ledhatonte mjekrën (jo, jo:
putrën) pranë një gote: „zotërinj, më në fund,
s’ja vlen të rrëfehen
veçse ato ngjarje përmes të cilave ekzistenca
e përjetshme përshkon të përkohëshmen, apo jo?”
ne qeshëm e s’thamë asgjë.
Ndrojtja na shtyu të ndezim shkrepset
të ndezim cigaret.
Jova kalëronte kafshimin e foksterierit plak:
„unë, po dola nga Bukuria, vdes”.
George i kafshuar nga gotëza: „në tre muaj të pafundëm
në arrest në Satu Mare shkrova në mend vëllimin
Stacioni i mbarmë Çdo mëngjes në katër e gjysmë i vetëm
luaja shah. E befas më vinte një poemë.
Poemë pas poeme mëngjes pas mëngjesi - kur dola
e luta drejtorin „zoti drejtor lermëni edhe ca
ndonjë muaj të shkruaj poezi në burgun tuaj e drejtori i djallit
s’pranoi”.
Paskëtaj tek ndritej e gdhira të njëmijë
këmbët e qenit tim besnik shkëlqyen në gotë.
Paskëtaj politika paratë
halabakët që ende rropateshin rreth një arti të varfër të shkurajuar
pranë një zjarri të vockël me degëza
s’pimë më.

PASKËTAJ ISHTE NJË FESTË E JUDEJVE DHE JEZUSI
U ngjit në Jeruzalem
E në Jeruzalem pranë Postës së Dhenve ishte një pishinë
që quhet Vitezda e kish pesë sofate.
Në sofate rrinin tufa të verbërish ulokësh të tharësh
prisnin lëvizjen e ujit
Se një engjëll i Zotit zbriste heraherës
në pishinë e turbullonte ujin
e kush hynte i pari pas turbullimit të ujit
shterohej nga çdo sëmundje që e mbante.

E JEZUSI U PËRKUL E shkruante me gishtin në tokë.

E SI TË NXEJË NË KËTË POEMË

PLEQËRIA VDEKJA dhe pajtimi me fatin
(besoj o Zot ndihmoje besimin tim)
kur një grua e re në shtratin e vdekjes
ka dhjetë vjet që pret ndonjëherë e pajtuar
herë tjetër duke iu lutur me lotë
Zotit të saj të vetëm
për një shenjë shërimi
dhe u plak pa marrë asgjë në këta dhjetë vjet të pafundëm
veç gotës së përditshme me qumësht ushqim pa zjarr
qartësinë e një fati gjithnjë e më të tërmetshëm
dhe pamundësinë e burrit për ta kallur përfundimisht spektrin e vdekjes
në një poemë magjike.
Ky fat i tërmetshëm arriti ta neveriste
si edhe Zoti i vet i vetëm dhe gota e përditshme me qumësht
ushqim pa zjarr dhe zemra kohë-buzëqeshëse
e burrit të pafuqishëm.
Udhë kthimi nuk ka më
në gjendjen e parme të fytyrës sate
por Zoti na dërgoi sëmundjen dhe vdekjen
që t’ia provojë buzëqeshja zemrës kufirin e vet të lartimit
përmes vitesh përballë infarktit
pas tokësimit tënd me këto
merret Zoti.

SONTE MBRËMA NUK SHKROVA NË
Doracak të mbijetesës së poetit
Piva në Sheshin Sundimtarët e Shenjtë me miqtë
u ndeshëm me kafshimin. Me këto
merren miqtë.

NUK E FOTOGRAFOVA POEMËN
ndonëse unë jam aparati që fotografon poemën
ndonëse unë jam motra Anna me prejardhje nga Kenia me banim në Romë
kryepeshkopi Milingo plaku Karl
Gustav foksterieri që ledhaton putrën
gruaja ime e re në shtrat të vdekjes unë jam
i sëmuri në breg të pellgut Vitezda gishti me të cilin
Jezusi i përkulur
shkroi. Çfarë shkroi s’e dimë
s’do ta dimë kurrë. Siç nuk dimë
cili prej nesh do të vdesë në Paris gjatë një dite me shi.
Siç nuk dimë ku fshihet snajperi.
Siç nuk dimë kaq e aq gjëra.

Gjeli prej teneqeje


Jam një kalë që ra në pus
Në një pus të tharë në Ballkan.
Ditë me radhë vajtova për këtë punë
Ditë me radhë ulëriva në borinë e regjimentit
Gjer natën vonë
Gjer m’u thinjën flokët e thonjtë
Zonat erogjene u flladitën
Hape këtë njeri, është dollap me fantazmë –
E s’ma vari kush
Përveç gjelit prej teneqeje mbi shtëpi
Me kërcitjen e tij metalike
Aq të rëndomtë, aq të heshtur.
Tani që lufta duket e mbaruar, rri si hutaqi dhe pyes
Pyes veten
Si macja e Penelopës rashë kaq poshtë
Merr vesh, kalë i rënë në një pus Ballkani
Kur të tjerë nga raca ime enden fushash të gjelbra
Kalërojnë, kalërohen
Rrinë në tryezë me njerëzit
Pinë hanë flasin
Pinë hanë flasin
Pinë hanë flasin
Sa për mua s’më mbetet veç të vdes urie
Në një pus të vjetër Ballkani
Përderisa aq ma priti mendja.
S’më mbetet veç të dridhem së qari në borì
I vetëm me gjelin prej teneqeje mbi shtëpi
Natën në dritën e hënës –
Mbase mbase
Do të zhduket pamja e një kove që zbret në pus
Plot me sy njerëzish
Klithmat e foshnjave ngulur mbi murin e rjepur
Teksa lëkurët e të rjepurve për së gjalli
Varen të thahen në degët e manit.
Kjo nuk është poemë
Është një kthinë e fshehtë mes së cilës
Unë hyj nën dhé
Nga turpi, nga frika:
Bëhem i vocërr tradhtoj specien
Është një pus i tharë nga Ballkani –
Rashë në të si derdimeni me borinë e regjimentit
E tani që armët heshtin
Unë rri e këndoj me borì.
Nuk vajtoj më. S’ulërij.
Mbi qiellin me yje plot sy njerëzish
Një fantazmë e bardhë ngjitet kodrës
Larg shtëpisë
Gjeli prej teneqeje kërcet e as që do t’ia dijë
Kërcet e s’do t’ia dijë
Aq rëndomtësisht, aq heshtur.
2.
Jam gjeli prej teneqeje mbi shtëpi
Mbi një shtëpi të vjetër në Ballkan.
Kaq i rëndomtë, kaq i heshtur
Jam varri, Apokalipsi
I zërave të zvargur, të vegjël
I gjembave të iriqit
Dimërverë dridhet brenda meje shenjti
Dimërverë kërcas e s’dua t’ia di.
Por kjo e shkruar është majmunka e artit tim
Por kjo e shkruar është majmunka e artit tim të moçëm, verban e buçkan
Kllapë: kaq fort e dua, e deshëm ti, unë
Saqë fiksimi (mistik) për të gjorën
Të marrën majmunkë
Më pat veguar thjesht ekzistencën e Zotit.
Ehej, për sa kohë jam gjel prej teneqeje mbi shtëpi
S’keni për të ma hedhur dot shalën e kalit
Dimërverë
Kërcas e s’dua t’ia di
Kërcas e aq.



Zgjodhi e shqipëroi Ardian-Christian Kyçyku 

Popular Posts