PAUL VINICIUS: Letra nga Balcania - Poezi/i [AL]





Poet, dramaturg, prozator dhe eseist lindur më 24 janar 1953 në Krajovë, Rumani. Ka mbaruar Fakultetin e Mekanikës në Bukuresht në vitin 1982. Debuton po atë vit me një cikël poetik. Në vitin 1987 cenzura komuniste ndalon botimin e vëllimit E marta e kaltër, e mërkura e bardhë. Qysh nga viti 1990 punoi si gazetar, duke hequr dorë nga kariera politeknike. Libra të botuar: Rruga gjer në çmendinë dhe kthimi përgjysmë (poema, 1998), Eklipsi (poema, 1999), Studim burri (poema, 2003), Edhe ne kemi qenë në Amerikë (teatër, 2004), Një poemë për Joan Florën (poema, Red Pagoda Press, SUA, 2005), Kolonia Graffiti (teatër, 2005). I pranishëm në shumë antologji dhe fjalorë letrarë, laureat i një sërë çmimesh me rëndësi. Është anëtar i Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë dhe anëtar themelues i Shoqatës së Gazetarëve Rumunë. Nga viti 2003 punon si redaktor në Shtëpinë Botuese të Muzeut të Letërsisë Rumune.


historia e një plage të freskët
e pra
kur kthehem unë në vendin
që të tjerët
rëndom
e quajnë nështëpi
nata ka rënë kaherë
dhe nis beteja me shkallët.
janë ca shkallë të koklavitura
spirale
motra me terrin
dhe alkoolin në venat e mia
e që tek bredhin sa andej këndej
më marramendin.
s’është aspak e lehtë të zbresësh
bashkë me shkallët
nga kati i shtatë në të pestin
vëlla me terrin
dhe me alkoolin në venat e mia
që enden
të dehura me gjak
sa andej këndej
nëpër trupin e vrimuar e pothuajse të huaj
si ndonjë fabrikë rreziqesh.
ndonëse s’është rasti
përfytyrimi im mbi parajsën
është një fushë e rrafshët
plot me tryeza
me karrike
pa kurrfarë shkallësh
dhe
aty-këtu
nga një pijetore.


pesëdhjetedy
tash njëzet a tridhjet vjet më parë
e merrja jetën në duar
dhe bam!
e përplasja përdhe –
e ja
nuk thyhej.
tani e mbaj me shumë
me shumë kujdes
si të jetë ndonjë nuse e brishtë
e ja
gjithë rrjedh rërë prej saj
oh
e madhe është fuqia jote
o zog
o shelg
o urith.


të tjera femra shpupurisur nga jeta
e kështu themi gjithnjë:
edhe vetëm një femër
e mjaft!
vetëm se ajo femra
kërcen (hop!) mëkokëza
dhe bëhet shtatë-tetë-nëntë femra
ndaj të ngrysurit
e atëbotë nata është bash e vonë
dhe më e dendur se e gdhira
e ç’të bësh? -
s’mund të fundosesh.
e ndonëse shket drejt drekës
(dita e dytë tashmë)
femra e shtatë gjithë shprehet:
sot s’kemi ç’hamë tjetër
veç dashurisë
e kështu ndodh
atë hamë
atë djersijmë
njëherazi.
e pasi djersijmë e djersijmë
femra e shtatë është tashmë e teta
kurse e marta është e mërkurë gjithë ditën
e ç’viran të bëjmë
se mbi këmbët e saj të pambaruara
s’shkruhet asgjë
veç: dashuri
dhe ti e lut femrën e nëntë
të mos
mos kërcejë mëkokëza.
prandaj edhe s’vdes
unë
prandaj
gjërat shkojnë rrokopujë
këtejpari
në këtë jetë.
vetëm tek nina e mbaj shpresën
vetëm ajo ka një vështrim aq të kthjellët
kur më sheh
(si urinë pëllumbi)
që mos zhdukem ndonjë ditë
krejt
brenda saj
sikur të gëlltiste ndonjë hapje
e me aq
mbaron e tëra!
ftohma.


një natë si ndonjë pikaso
i rremë
e kapa sonte diellin
duke zbritur nga shtrati im
këmbëzbathur.
kishte kurmin tënd –
kurse unë
jo se s’kisha zemër
(se zemër kisha)
por në vend të seksit
kisha dy papuçe
me xhufka të kuqe.
e atëherë erdhi dimri
e atëherë erdh’ pranvera
e atëherë u kthye im vëlla
(marsiani)
nga botët e ngrohta
në trajtën e dy papuçeve
me xhufka
veçanërisht
të kuqe.
atëhere më kaloi para sysh
ajo femra e kaltër
që ngjan me ty
saherë ngrihesh që brenda meje
me një lot sa hëna
duke rrëshqitur mbi fytyrë
tek zbret nga shtrati im
këmbëzbathur.


dhe qetësi
por ato duar që ta bënin lëkurën të rënkonte
dhe fjalët që ngrinin folezë në pushin e veshëve
duke lënë përherë një hënë pesëmbëdhjeçe
në qiell
mbi ne
nuk ishin të miat –
ashtu siç as trupi yt
që dukej një përzgjatje
e frymëmarrjes sime të lumtur.
mes mjaltit të nepërkës
dhe spermës së stalakmiteve
do të kisha dashur të të jetoja.
ndoshta jam i kapitur
ose kam pirë vetëm me një gisht
më pak
(harresë)
porse
nganjëherë
kësisoj mbyllen udhët
që përshkon njëri në kurmin e tjetrit.
s’më mbetet
veçse të të them
natën e mirë
në këtë jetë - prezervativ.


dashuria jonë – si një puntor i lodhur
që ka hyrë në grevë
me një sy të mavijosur
por dashuria jonë jo vetëm duket
po vërtet është tjetërgjë –
o grua;
duket ajo si ndonjë puntor që ka hyrë në grevë
ndihmuar edhe nga një ndërprerje e rastësishme e dritave
por është në fakt
një muratore
së cilës i ka mbaruar llaçi
e s’do ta pranojë.
E kur të bëja unë dashuri
(gojë më gojë)
fjalët më flatronin anës veshëve të tu
si ca satelitë të prishur
dalë graviteti
sot ende është hëne e plotë;
nesër-pasnesër do shpërthejë manushaqja
pastaj do marrosen bliret
duke na zvarrisur udhësh pa emër.
ja pse ende ia dal
të marr frymë
sikur mos më dhimbte
ajri
sikur ti
të ishe po ajo
e ngrohta dhe e perëndishmja
(e ngrohtë dhe e perëndishme)
që më ndehet nën kockën e ballit
dhe më pëshpërit
të çmendem pak edhe unë.


qentë së afërmi
mbi mua do të pshurren qentë së afërmi
po me ty ç’pata
që të ndëshkova
kaq
të re
të mësosh
sa lehtë
mund të mbulohesh
me një zemër
por sa vështirë
është o zot
ta gjesh atë zemër
s’të thashë.


shenja toke
e ashpër është pija
po as unë s’jam më i butë.
tani
as që di
nga erdhi kjo punë:
vallë të më ketë thënë babai
apo vetëm mendja ime
a ndonjë jehonë e saj
të ketë folur zëlartë:
biro:
dëgjo këtu – dëgjomë:
mos i ha kurrën e kurrës
lekët e pijes”
fakt është
se kështu kam vepruar:
një ulli / 200 raki / një ulli / 200 raki.
tani –
o më mposht ajo
o e mposht unë –
rrugë kthimi s’ka.
kur mbush 54 vjeç
s’ke si
ta pudrosësh
të shkuarën;
e as i mjekon dot dashuritë e hershme.
një rresht i gjatë dështimesh
të mblidhen mbi shpinë
e të shtyn
gjithë të shtyn
përpara
thua se po jepet falas bukë me lumturi
ballë teje:
një rrugicë gjithnjë e më e ngushtë
e më e ngushtë
pastaj toka
dhe graviteti
dhe planetet.
toka –
stacioni i ardhshëm.
toka –
si ndonjë femër nga vulgu
që më është përvjedhur
hajdutçe
në jatak
e s’më braktis
gjer në fund.


tri letra nga balcania
dashuria ime
kam uri dhe mall për ty
po shih:
korbat e vendeve tona grinden.
e jashtë ka rënë vjeshta -
e unë
pluskoj mbi letrën që të shkruaj
si ajri mbi fytyrën tënde
se e di:
letra s’do mbërrijë
e dashur
dje
shtijat e akullta të strehëve
gjithë qanë e vajtuan
gjersa kufoma e hënës i bëri të heshtin;
po shih:
vendet tona janë tashmë në luftë
e mes nesh ka veç
hi dhe ulërimë.
nganjëherë më godet që përtej pasqyrës fytyra jote
e shëmtuar nga ndarja
(me zgavrat e zbrazëta);
lus Zotin të jetë vetëm ëndërr.
dashuria ime
sikur të mund të shihje edhe ti:
nga rrënojat del kalbje dhe shkrumb dhe kujë
gështenja ballë dritares
(brenda një nate
të qorrollepsur)
shpërtheu në lule.
përjashta gjaku rrjedh ende
shqetësues i zi
kam tmerrësisht mall
për ty
shpresoj


më pëlqen ta
dashuroj një femër nga namibia
çdo mëngjes
zgjohet
dhe gjelbëron xhunglën
me sytë e saj të zinj.
çdo mëngjes
shkon tek lumi
dhe i le flokët
të rrjedhin.
më pëlqen të shihem
në lëkurën e saj
bërë pasqyrë.
më pëlqen ta shoh
kur fytyra ime e ujtë
vyshket e humb
në kurmin e saj të nxehtë.
më pëlqen ta dëgjoj si këngë
tunel
klithmë
Zot
tek më mbron me gjakun e saj
nga tehu i trupit tim.
më pëlqen ta.
dashuroj një femër nga somalia.


fluturim nate (një melodi të kthen në trurin tim)
tjetërherë -
flaka e kuqe e gojës sate
tehu i dridhshëm i vështrimit tënd
priste rrugina të gjelbra
në dëborën e lartë të atij dhjetori.
shkëlqimi i djersës në kurmin tënd dembel
rrëshqitur në vallzim
balli yt i bardhë
kaptuar nga zogjtë e kaltër që më patën rënë mbi supe -
ishte një blues i rralluar
isha vetë klubi plot opium e miq
gojëmbyllur nga gurgullimat e zemrave
(të ngjirura e të dehura
të tundura e të dehura)
teksa përjashta
dimri na groposte
për së gjalli
e për së vdekuri.
kur dolëm
muret prej bore qenë rritur gjer në hënë.
ishte një hënë e stërmadhe e plotë.
pashpjegueshëm
taksia humbi udhën
falë dorës tënde të majtë -
dhe atëbotë e kuptova
gjer edhe tani
ende rri përgjunjur
mbi cifla mbetur prej teje


në fund - klithmë
më ndodh ngjarja e mëposhtme:
jam tmerrësisht
i dashuruar
me ty.
askush
s’do ta dijë
sa e bukur je;
askush
s’do të të dojë
kaq;
askush
s’do të të lerë
të këndosh me gjakun e tij
ashtu siç jam unë
muzikë
saherë më avitesh
pranë;
askush
s’do të vdesë nga malli për ty
siç kam vdekur unë
para ca kohësh
e kurrgjë s’më bën më përshtypje.
kështu klithet
brenda një zemre
të zbrazët.


mëngjes
diell i zi
dhe digë*
mëngjes i askujt..
diga i ngjante krahut të një pilivese
mbytur në det.
e mban mend heshtjen që na pat zbardhur buzët
ngjitur pas njëri-tjetrit
në pritje të rrezes së parë të diellit?
një diell që mbeti i turbullt
deri vonë
duke shpërndarë
edhe qentë
edhe njerëzit.
nga mjegulla -
fjalët e ashpra
tërë nyje
të peshkatarëve.
vështrimet e zinj të gaforreve
që kacavireshin shkëmbinjsh
duke na rrethuar
(rreth i zi prej rrethi të zi
gojë e zezë
tek nga shtrëngonte në mes) -
e atëbotë
dora jote bëri një shenjë
që e mbaj mend edhe tani.
kurse më vonë
mes argjendit lëvizës
dhe vështrimeve të ngrira të cironkave
të thekura në tenxhere
dukej kapistalli memec
turiri i trishtëm
sytë e mbetur në breg
të një kalëdeti
përhumbur në rrjeta.
* - për kalëdetin
përhumbur në rrjetë
mes cironkash të argjendta e të zymta
në mëngjesin e mjegullt të ditës 15 korrik 2002
dihet tashmë
me saktësi
se do të kish vazhduar të notonte
në tejdukësinë vezulluese
kapluese
të një libri
me dritaret nga deti


qyteti përtej kodrës
varrezë - majtas
varrezë - djathtas
pikë.


s’pranoj të të shoh mbathjet tek valviten në dritare
vetëm dashuri shkruan atje
përse fut duart edhe meterologjia
në lavdimin tënd?
në një furtunë të tillë
fundja
mund të dehem përkryer
shumë më bindshëm se reja
e përmbysur në perëndim
në një furtunë të tillë
sigurisht
flokët e tu sillen si shtazë
duke mbushur qytetin me vjeshtë
në një mot të tillë
mund të heq dorë nga jeta
nga duhani
nga pija
në një mot të tillë mund të mesoja si vdiset
por shiu vazhdon të bjerë
bashkë me ty
e shih çfarë
shkruhet
atje.


ti - gjithnjë (e bën kohën të të rrijë gatitu)
ti je kaq e bukur
saqë:
sot është e enjte
kurse nesër
do të jetë
e martë.


fluturim nate
(një melodi të kthen në trurin tim)
tjetërherë -
flaka e kuqe e gojës sate
tehu i dridhshëm i vështrimit tënd
priste rrugina të gjelbra
në dëborën e lartë të atij dhjetori.
shkëlqimi i djersës në kurmin tënd dembel
rrëshqitur në vallzim
balli yt i bardhë
kaptuar nga zogjtë e kaltër që më patën rënë mbi supe -
ishte një blues i rralluar
isha vetë klubi plot opium e miq
gojëmbyllur nga gurgullimat e zemrave
(të ngjirura e të dehura
të tundura e të dehura)
teksa përjashta
dimri na groposte
për së gjalli
e për së vdekuri.
kur dolëm
muret prej bore qenë rritur gjer në hënë.
ishte një hënë e stërmadhe e plotë.
pashpjegueshëm
taksia humbi udhën
falë dorës tënde të majtë -
dhe atëbotë e kuptova
gjer edhe tani
ende rri përgjunjur
mbi cifla mbetur prej teje


rreth fuqisë së saj
fuqia e bukurisë së saj s’ka kufij
dje
zbulova një rrugë
të cilën
thjesht vetëm hapas e saj
mund të ma zhvendosin në zemër


prelud (enë komunikuese)
zonjushë:
po të ma dhuroni
nishanin
që ju fle mes gjinjve
do t’ju recitoj
(përmendsh)
gjithë lëkurën


prelud prelud (enë komunikuese)
zonjushë:
po qe se i keni gjinjtë të vegjël,
lejomëni t’ju vizatoj
një miush
mes tyre
që të dridhet nga frika


fëmija me flutura të verdha e dhëmbë qumështi
ti s’je më.
kujt t’i flasim tani
për të gjelbrën e trishtme
të këtij pylli të hajthëm
prej vivaldi?


statuja e të qarës sate
u bor edhe drita e festave
është koha
të vihet e drejta në vend
ja dora ime
fajtore që ta bëri lëkurën
të ëndërrojë
ja zemra
fajtore që të rrahu.
qysh tani
vendose vetë fatin tënd.
pjesa tjetër e imja
s’është veç statuja e të qarës sate
në ajrin e ngucur
të janarit
rreth të cilit
qyteti
është tubuar
t’i lutet
dëborës.
Zgjodhi e shqipëroi Ardian-Christian Kyçyku



Popular Posts