Enea i Historisë sonë [RO]

Recension për botimin rumanisht të dramës “Enea i plagosur” të Jeton Nezirajt.



Titulli: Enea rănit
Autor: Jeton Neziraj
Rating: ****
Editura: Librarium Haemus
Viti i botimit: 2009
Përktheu: Kopi Kyçyku
ISBN: 978-606-8093-04-8

Pjesa mori jetë pas një pakti mes drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Jeton Neziraj, dhe regjisorit kanadez Michael Devine, duke u nisur nga legjenda e Eneas dhe histori rreth trojeve të Kosovës.

Si do të ishte sikur ta këqyrnim historinë nga diku lart, nga jashtë saj? Si do të ishte po ta shihnim si një domino, ku dallimi mes dje-së dhe sot-it do të qe rrënuar në qerthullin e kohës dhe ku dallimet mes njerëzve do të qenë gëlltitur nga frikërat e përbashkëta? “Kur nuk më zë gjumi natën, përpara se t`i mbyllë sytë, marr dhe ha një hartë historie, me pak ujë natyrisht… Me pak ujë, sepse majat e maleve dhe shkretëtirat ma gërrithin fytin...
Kështu hapet skena Harta e historisë, që fillon nga një kohë e Eneas, mitike, dhe e cila paraqet Njeriun e atëhershëm e të tashëm, që këmben maskat, emrat, por që mbetet prore një marionetë në duart e historisë.
Neziraj krijon një labirint të Kohës, të hapësirës dhe të personazheve, ku lexuesi mund të humbasë tek kërkon një kuptim. Në dallim nga pjesët klasike të teatrit, Enea i plagosur nuk ndahet më në akte e skena, por në “tituj skenikë”, dhe secila skenë tregon një tjetër kënd, një tjetër ngjarje absurde të Historisë.
Njëra nga këto skena paraqet takimin e Eneas me Avdullah B., në një truall të panjohur: njëri sheh shkretëtirën dhe detin, me gjurma gjaku, ndërsa tjetri nuk sheh kurrgjë; pyeten mesveti nëse aty është vallë parajsa, dhe, pas disa replikash, e përngjasojnë atë vend me ferrin. Në fund të fundit, cili është dallimi, duket sikur pyesin nga mbrapa skenës dy personazhet. Apo është vetëm një personazh? Neziraj na thotë qysh në krye të herës se “pjesa mund të luhet (edhe) nga vetëm katër aktorë”, dhe, teksa ti përparon në lexim, kupton se Vajza nuk është bash aq e ndryshme nga Plaka, se Gjenerali është më fort një ushtarth i Historisë dhe se mund të rigjehet në personazhin e Doktorit, i cili, nga njëra anë përkujdeset dhe e mjekon Enean, kurse nga ana tjetër përkujdeset nga Historia, se Avdullah shfaqet sa në rrëfenjat (e mbjella me simbole e humor të zi), e treguara nga personazhet, aq edhe në skena të ndryshme, duke qënë, sikurse Enea, një bir. I kujt? I një plake dhe i Sadri B., i një ushtari, i Kohës?
Asgjë nuk mbaron. Asgjë nuk fillon. Sadri B., tek pret të birin, shprehet: «Orën e kam ndalë, se nuk po guxoj me e pa kah po i lëvizin akrepat n`at shpejtësi». Kohërat e perënduara rigjehen në të tashme, në elementet moderne, në Epilogun e Mbrojtjes së Paqes Globale, që, në fund, të mësojmë se saherë macja e Gjeneralit «lëpin veten, rritet në mënyrë të ndjeshme tensioni ndërkombëtar. Gjithmonë kështu: herën e fundit kur macja ime lëpiu veten Greqia i çoi një notë të lartë proteste Turqisë, për shkak të provokimeve në Qipro!»
Jeton Neziraj, tek Enea i plagosur na flet për absurditetin e Historisë; ai i vendos personazhet jashtë kohës, duke ravijëzuar idenë se gjithçka varet në fije të perit, në tekat e njërit a të tjetrit, qoftë kur flasim për Trojën, apo Romën, qoftë kur është fjala për Kosovën, Historia mund të këqyret si një domino, ku një ditë, në dukje pa kurrfarë arsyeje, gjithçka mund të rrënohet.

Pluse: lirizëm i spërkatur me elemente simbolike, thellësi, gërshetim i së shkuarës me të tashmen; pjesa mund të kuptohet edhe nga lexues të pafamiljarizuar me aspektet historike të paraqitura;
Minuse: për shkak të mungesës së sqarimeve, të skenave që trajtojnë në dukje një tjetër subjekt, pjesa mund t’u duket disave si e pambyllur.
Rekomandim: atyre që duan teatrin e absurdit.

Marrë nga www.bookblog.ro

Popular Posts