Lumenjtë e Saharasë - botimi i vitit 2009 AL
"Lumenjtë e Saharasë ishte gati për shtyp në vitin 1989. E dorëzova dhe, me thënë të drejtën, nuk u befasova që botimi i tij u aprovua. Kritika zyrtare dhe cenzura qenë regjur ta shihnin disidencën vetëm në idetë kryesore të një vepre, në dyfishësinë e ndonjë paragrafi, në tiparet dhe sjelljet e personazheve, por kurrsesi jo në hijeshinë e tekstit, në forcën magjepsëse të stilit. Nga ana tjetër, me sa dija, letërsitë rreth Shqipërisë merreshin me të tjera çështje, por që ishin po aq larg frymës së Lumenjve... Mirpo pasuan treqind ditë, gjatë të cilave shkova gati çdo mëngjes në shtëpinë botuese shtetërore, që të merrja firmën e drejtorit, dhe ky më mbajti me gënjeshtra derisa mbaroi letra! Nuk besoja se e kish lexuar romanin, por dija se në këto gjëra nuhatja e dështakëve nuk gabon. Plumb kishte, vetëm letër jo. Me frymën dhe humorin e protagonistit të Lumenjve, eca më tej, se romani nuk dukej të qe shkruar për t’u botuar atëhere dhe atje. Letra mbaroi – kjo për mua tingëllonte: boja jote u shtua…
Romani duket i shkruar jashtë kohës së zymtë të Shqipërisë së atyre viteve, por ruan krejt hidhërimin lartues, zhgënjimet, revoltat e ballkanasve të asaj periudhe. Kjo thjesht përmes stilit dhe humorit, mbështjellë me një lirizëm që për mua mbetej i papërsëritshëm, sepse në kohët kur e shkruaja, njëherazi e përjetoja dhe e humbja, pra më shndërrohej në kujtim. Një kujtim i dyfishtë: i jetës dhe i të shkruarit. Jo rrallë e kam parë këtë roman si përqëndrim të një bote ku absurdi, në kundërshti me ato që jemi mësuar të dëgjojmë e pranojmë, nuk rrënon, por bëhet pjellor, hap sytë e mendjes e madje edhe të zemrës. Ky absurd është një lojë e hollë e shpirtit që është zvjerdhur nga një realitet i caktuar dhe nuk kursen asgjë, në radhë të parë fshehtësitë e pazbuluara të Fjalës, për të ushqyer vetveten, në mos me shpresë, - se mjaft shpresa dalin të rreme dhe u ngjasojnë drogave, - të paktën me humor.
Duke u ngjitur a zbritur nga një shtresë e humorit në tjetrën, protagonisti shndërrohet në njëfarë force të natyrës, kur natyra është motërzim i logos-it. Tre romanet e tjerë:Qielli vetëm pranon, Puthmë skelet – roman me fëmini dhe Dita shtatzanë, i falin protagonistit aq jetë e ngjarje të befasishme, saqë kaherë ai më duket një qënie të gjallë, që jeton e mbijeton si të jetë person historik, real. Ka pasur raste kur ndonjë femër që pat lexuar dorëshkrimet, më ka kërkuar t’i jap adresën e tij të postës (se atëhere nuk kishte e-mail), osa ta njihja me të. Secili prej romaneve lidhet me të tjerët vetëm falë Gined Enkelanës (kështu ia ve pseudonimin vetes protagonisti – Enkelana, nga emërtimi romak i Pogradecit dhe Gined nga Gloria in Exelsis Deo) dhe qëndron i mëvetësishëm për nga struktura, stili dhe hapja në kohë e gjeo-histori. Deri më tash vetëm Lumenjtë… dhe Puthmë skelet kanë pare dritën e botimit, në gjuhën shqipe.
Ishte një gëzim i rrallë për mua kur Zandonai e botoi në italisht, pas një përkthimi mahnitës të Kamela Guzës, me një paraqitje plot hijeshi nga Elvira Dones, dhe pas një pune të përkushtuar e profesionale të Giuliano Gerit dhe antarëve të tjerë të ekipit Zandonai. Gëzimi im dyfishohej falë lidhjeve të hershme familjare që kam me kulturën dhe letërsinë italiane. Mbi çerek shekulli më parë, kur im atë, profesor i stilistikës së italishtes në universitet, ma mësonte këtë gjuhë me metodat G. Bataglia e K. Katerinov, nuk më shkonte ndërmend se një ditë do ta lexoja veten në italisht". A.-Ch. Kyçyku