Promovim libri në Rumani [AL]
Më 29
nëntor 2012, në Alba Iulia, kryeqyteti shpirtëror i Rumanisë, gjatë punimeve të
Kongresit të 16-të Ndërkombëtar të Trashëgimisë Shpirtërore Rumune, në prani të
një numuri të madh përfaqësuesish të shkencës dhe të kulturës nga 45 shtete, u
promovua vëllimi poetik "Re të përmbysura", i autores Alma Basha,
përkthyer në rumanisht nga akademiku Kopi Kyçyku, i cili, në parathënien që ka
shkruar me këtë rast, ndër të tjera, thekson:
"Sapo
të lexosh vargjet e para të Alma Bashës... ndodhesh përpara befasish të
këndshme, si në rrafsh tematik, ashtu edhe në trajtimin origjinal, me mjete
shprehëse të zhdërvjellta, plot figura artistike e stilistike të zgjedhura me
kujdes të veçantë, gjithmonë në funksion të idesë e të mesazhit që synon të
kumtojë... Letërsia 'strehon' në gjirin e saj 'motrat' e veta - muzikën,
pikturën, vallzimin. Metaforat duket sikur heqin me elegancë vallen, herë
dinamike, si rrjedha e lumenjve malorë, dhe herë shtruar, si ujrat kur i janë
afruar detit, për të derdhur në gjirin e tij të gjerë e të thellë,xhevahiret që
kanë mbledhur në udhëtimin e gjatë e pjellor...".
Të
gjithë folësit, poetë e kritikë të mirënjohur të arteve e të letrave, të cilët
e kishin marrë që më parë librin, vunë në dukje forcën me të cilën Alma Basha
ia del mbanë të shpalosë para lexuesve vrullshëm e me tërë plotërinë, me një
gjuhë krejt të vetën, një galeri të pasur ndjenjash e perceptimesh që gjallojnë
në thellësitë abisale të shpirtit njerëzor, në situata e rrethana nga më të
ndryshmet.
HaemusPress, 2012