Simpozium Ndërkombëtar për Levantin / Simpozon Internațional despre Levant [AL]


Pamje nga Lagja Lipscani e Bukureshtit. Foto: Julia-Maria Kyçyku
Lëvizjet progresiste që zunë fill në vitin 2011 në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e Mesme tërhoqën vëmendjen e njerëzimit mbi Mesdheun, duke “rizbuluar” këtë djep të lashtë të qytetërimit botëror. Zgjerimi i vazhdueshëm i hapësirës demokratike është duke përftuar edhe një lloj të ri marrëdhëniesh ndërmjet shteteve, mbështetur në dialogun dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, duke nxjerrë në plan të parë diplomacinë kulturore dhe dialogun ndërkulturor e duke hequr dorë nga marrëdhëniet e vjetra të ndërtuara mbi forcën ushtarake dhe trysninë ekonomike. Lloji i ri i marrëdhënieve, që ofron një shans për paqen në botën e globalizuar, mund të gjejë një burim frymëzimi në botën e hershme të Levantit, - me “Levant” nënkuptohen territoret në Mesdheun Lindor, duke përfshirë edhe Sirinë, Libanin, Izraelin, Palestinën, Jordaninë, Irakun etj.


Potenciali i Levantit është i madh, jo vetëm ngaqë prej mbi një mijë vjetësh ka qënë djepi i diplomacisë kulturore, por edhe sepse perandoritë romake, bizantine dhe otomane kanë krijuar aty, secila në mënyrën e vet, një hapësirë të gjerë shkëmbimesh, - mallrash dhe idesh, - me dialog kulturor. Ballkani dhe Evropa Juglindore, për një kohë të gjatë kanë qënë në kontakt me Afrikën e Veriut dhe me Lindjen e Afërme dhe banorët e kësaj zone kanë përvojë të pasur përsa i përket dialogut ndërkulturor.

Zona e Mesheut Lindor e ka tërhequr gjithnjë Evropën Perëndimore sidomos qysh nga Rilindja, në periudhën e Romantizmit e deri në kohët moderne, ndërsa admirimi për Levantin nga ana e mjaft krijuesve të shquar pati si rrjedhojë krijimin e një numuri të madh veprash letrare, artistike dhe muzikore të pazakonta. Lidhjet kulturore ndërmjet vendeve ballkanike me ato të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës së Veriut vazhduan deri në gjysmën e dytë të shekullit XX, madje edhe në periudhën e Luftës së Ftohtë e të regjimeve diktatoriale, përmes formimit të disa elitave intelektuale të shkolluara në universitetet e Evropës Juglindore dhe zhvillimit të shkëmbimeve kulturore të ndërsjella. Rimarrja e këtyre lidhjeve do të përbënte një rast të mirë që larmia e traditave t’u kundërvihet edhe prirjeve të skajshme për uniformizim në kontekstin e globalizimit të bazuar kryesisht në përfitime materiale, për një mënyrë jetese sa më afër aspiratave të njerëzve.

Gjithsa përmendëm më lart çuan në mbajtjen në Bukuresht, në periudhën 23-25 maj 2013, të Simpoziumit Ndërkombëtar: “Levanti, djepi i diplomacisë kulturore. Duke rizbuluar Mesdheun”, organizuar nga Akademia e Diplomacisë Kulturore e Berlinit, - me president Profesorin Emil Konstantinesku, ish-president i Rumanisë, - nga Senati dhe Qeveria e Rumanisë, Instituti Kulturor Rumun, Universiteti i Bukureshtit dhe Fondacioni Rumun për Demokraci.
Në punimet e Simpoziumit të lartpërmendur morën pjesë shkencëtarë, politikanë, profesorë, gazetarë, diplomatë, ekspertë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, artistë, nga të gjitha kontinentet. 

Në seancat plenare dhe në pesë seksione u paraqitën një numur i madh kumtesash me tematikë të gjerë e të larmishme, të të gjitha fushave, që shtjellonte probleme me rëndësi të madhe aktuale.

Në “Deklaratën e Bukureshtit”, që u miratua nga pjesëmarrësit në Simpozium, u përcaktuan pikësynimet e ardhme, ndër të cilat rizbulimi në thellësi dhe vlerësimi i trashëgimisë së Levantit; ndërmarrja, mbështetja dhe realizimi i një numuri aksionesh e dialogjesh politike, kulturore dhe humanitare në zonën e Mesdheut e më gjerë; nxitja e shteteve dhe popujve të kësaj zone për të pasur në qendër të vëmendjes respektimin e së kaluarës së përbashkët dhe ndërgjegjësimin për përgjegjësinë në ndërtimin e një të ardhmjeje me interes të përbashkët, në kontekstin e unitetit në diversitet.

Në konkluzionet e formuluara në përfundim të punimeve të Simpoziumit, u vlerësua lart përmbajtja dhe cilësia e kumtesave të paraqitura nga profesorët e ftuar shqiptarë Rexhep Meidani dhe Kopi Kyçyku.
HaemusPress 

Popular Posts