Në Prishtinë [AL]
Rrugën
për në Kosovë e bëra copa-copa. Duke kaluar nga Sofja, mbërrita në Shkup. Atje,
bashkë me gazetarin prizrenas, absolvent i fakulteteve të gjuhë-letërsisë në
Prishtinë dhe të gjermanistikës në Mynih, Shefqet Sallahu,me të cilin u njoha
rastësisht në udhë e sipër, shkuam deri në Hanin e Elezit dhe, me makinën e vet
që e pat parkuar aty, më çoi në kryeqytetin e Kosovës.
Në
Hotelin luksoz Prishtina, ku do të qëndroja gjatë ditëve të Panairit të 15-të
të Librit, si i ftuar nga organizatorët e tij, pata rastin të konstatoj me
kënaqësi se gjithçka ishte në shkallën më të epërme: mikpritja, pastërtia,
ushqimi. Pronari i tij, zoti Blerim Islami, intelektual i zgjedhur, me horizont
të gjerë kulturor, atdhetar tradicionalist, më priti me gaz në buzë e me
bujari. Në “ballinën” e ngrehinës hijerëndë të hotelit, Blerimi ka
vendosur një shtatore enigmatike ngjyrë ari, që përfaqëson simbolin e
qytetit.
Skulptori
Hevzi Nuhiu, që është duke skalitur në gur, drejtpërdrejt në natyrë, në
Kaçanik, shtatoren e legjendarit Idriz Seferi, më vuri në dijeni se këtë vepër
po e sponsorizon pikërisht Blerim Islami, duke hedhur dritë edhe në këtë anë të
personalitetit të tij si mecena i arteve. Hevziu më tregoi një album me
skulpturat e veta, të cilat i ka krijuar gjatë dy dhjetëvjetshave të qëndrimit
në Kozencë të italisë. Më pëlqyen dhe i premtova ta ndihmoj t’i ekspozojë në
Bukuresht, ashtu siç kam vepruar me piktoren Rudina Proda e me artistë të
tjerë shqiptarë.
U
takova edhe me mikun tim të vjetër, aktorin e mirënjohur nga
Struga, Xhevat Limanin, që ka ardhur posaçërisht nga Nju Jorku për të
interpretuar rolin e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut në një dramë që do të
vihet në skenë në Prishtinë. U shtrova në kuvend me personalitetin poliedrik
kosovar Ramiz Kelmendin, me poetin Agim Vinca, me botuesit Bujar Hudhri,
Atalanta Pasko, Rexhep Hida, me të bijën e të ndjerit të madh Vedat
Kokona, me Gëzim e Vasilika Tafën, me përkthyesin poliedrik Amik Kasoruho,
me shkrimtarët e gazetarët Jeton Neziraj, Ragip Sylaj, Irhan Jubica, Ilire
Zajmi, Anila Xhekaliu, Nase Jani, Sulejman Dermaku, Sabit Jaha e të tjerë. Në
Panair takova edhe luftëtarin e shquar të UÇK-së, shkrimtarin Jakup Krasniqi,
të cilit i tregova dy numura (të bashkuar në një) të revistës “Haemus”, të
vitit 2006, me katërqind faqe, kushtuar tërësisht Kosovës, çka u pasua atëhere
nga qindra letra prej rumunëve të kudondodhur, me të cilat na falenderonin që,
më në fund, po merrnin vesh se cilat ishin të vërtetat rreth Kosovës. Deri atëhere
propaganda serbomadhe u kishte injektuar sistematikisht helmin shovinist.
Përshtypje
të pashlyeshme më lanë takimet me shkrimtarin e talentuar, tepër prodhimtar e
modest, Rezart Palluqin, i cili ka vite që jeton në Hollandë. Pata lexuar me një
frymë romanin e tij “Dallëndyshet pa folé” dhe u gëzova pa masë që, pas daljes
në hollandisht të disa nga krijimet e tij, - Rezarti shkruan tanimë në
hollandisht, - do t'i përkthehet në këtë gjuhë edhe një roman.
E
ngrohur më tej nga respekti i çiltër e i ndërsjellë, ishte edhe kafeja që piva
me motrat e mia kosovare Drita Azem Kelmendi e Shpresa Kursani, që kishin
ardhur me gocat e tyre, Hanën e Gresën, të dyja intelektuale tashmë të
formuara, pjesëtare aktive në realizimin e disa projekteve të rëndësishme
evropiane.
Poetët
Arbër Salihu dhe Fatime Ahmeti më dhuruarn me autograf vëllimet e tyre:
"pritje e dehur" dhe "Fotografia mbi urë".
Vizitova
ekspozitën e piktorit nga Tirana Zef Pepa, me 18 punime, me temë “Fustanella
shqiptare”. Atje më priti vetë autori dhe artisti tjetër, Eshref Gjuraj.
U
lidha me telefon me akademikun Eqrem Basha dhe pres që, sipas premtimit, të më
dërgojë sa më parë mbresat për regjisorin e parë profesionist kosovar, të
ndjerin Besim Sahatçiu, që ta përfshij në monografinë që kam shkruar për
të. Të njëjtën pres edhe nga aktorja Safete Nuredini e nga regjisori Eqrem
Kryeziu.
Por
le të futemi në sallat e Pallatit të Shtypit, plot e përplot me libra të
fushave nga më të ndryshmet, që nga veprat për fëmijë (stenda e “Vëllezërve
Tafa”) e deri në veprat letrare madhore dhe ato enciklopedike, si “E
shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” e Bekim Fehmiut, “Fletoren Zyrtare të Shtetit
Shqiptar 1921-1929”, “Albania” e Konicës, Kujtimet e Toni Blerit, Veprat e
Plota të Ismail Kadaresë, Rexhep Qosjes, libri i Ramiz Kelmendit “Nga ditari
im”, veprat e nobelistëve Mario Vargas Llosa, Orhan Pamuk, Le Klezio e kështu
me radhë.
Vendosja
e tyre, ashtu si gjithçka që ka lidhje me paraqitjen dinjitoze të vlerave
kulturore shqiptare, i bënte jehonë punës së palodhur e plot pasion të
organizatorit kryesor, tashmë me përvojë të pasur, shkrimtarit, publicistit dhe
eseistit të mirënjohur, Abdullah Zenelit. Megjithse në tension të përminutshëm
për mbarëvajtjen e punëve, Abdullahu nuk na e kurseu për asnjë çast buzëqeshjen
e çiltër, fjalën e ngrohtë e plot edukatë dhe bujarinë.
Të
gjithë botuesit (mbi shtatëdhjetë), vizituesit ( mbi 30.000), promovimet e
veprave dinjitoze (“I vërteti - Ali Ahmeti”, veprat e Ramiz Kelmendit, botimet
e DDS nga Durrësi e të Uegen e “Helga Sikret” nga Tirana, të Galaxy-së nga
Prishtina etj), dëshmojnë për seriozitetin e kësaj veprimtarie.
U
largova edhe këtë herë nga Prishtina me etjen e pashuar për t’u rikthyer sa më
parë sërish në këtë qytet me njerëz të mrekullueshëm. Deri në kufirin
shqiptaro-maqedonas më përcollën Blerim Islami dhe Ilir Muharremi,
pedagog në Institutin e Arteve në Prishtinë, përmes telefonit të të cilit
fola me mikun tim, piktorin e përmasave botërore, Jetullah Haliti - Eti, që
ishte duke organizuar në Gilan një veprimtari letrare-artistike. Atje ndodhej
ndërkaq edhe poetja pogradecare Rozeta Krëste, të cilën e takova në Panairin e
Prishtinës, bashkë me poeten tjetër pogradecare, Irini Nanushi, që sapo i kish
dalë vëllimi “Vjen një zog i bardhë nositi” .
Mirësjellja
dhe përzemërsia e pakufishme e vëllezërve dhe e motrave kosovare dëshmon se
urrejtjen e kanë derdhur atje ku duhej, pra mbi pushtuesit e huaj, ndërsa ne,
në Shqipëri, e kemi derdhur brendapërbrenda, ndaj shoshoqit, duke qenë të
pushtuar e pushtues mesveti. Mjerisht një dukuri e tillë sikur s'ka ndërmend të
zhduket.
Kopi Kyçyku